Profesori austriak rrëfen: Vizitat e mia në Shqipërinë komuniste

Johannes Koder(ne foto, majtas)

Si profesor emeritus i Studimeve Bizantine në Universitetin e Vienës, nuk jam arkeolog, as specialist i historisë së Shqipërisë, arkeologjisë dhe artit, apo marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe bizantinëve. Prandaj, lejomëni që në fillim të shpjegoj shkurtimisht bazën e ngushtë të përvojës sime me trashëgiminë arkeologjike dhe monumentet e bizantit në Shqipëri, si dhe njohuritë e mia të kufizuara mbi zhvillimin e studimeve bizantine dhe mesjetare sot.
Vendin tuaj e vizitova për herë të parë më 1965 , së bashku me Erich Trapp (i cili më vonë u bë profesor në Universitetin e Bonit, në Gjermani), i ftuar nga Instituti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Ndihma e profesorëve Androkli Kostallari dhe Aleks Buda ishte shumë e rëndësishme. Në qendër të interesit tonë ishin dorëshkrimet në greqisht të Arkivit Qendror Shtetëror; dëshironim të dinim se cilët dorëshkrime u kishin mbijetuar zhvillimeve politike dhe ushtarake, gjysmë shekulli pas Luftërave Ballkanike, dhe më 1968 botuam një inventar të shkurtër të 25 dorëshkrimeve (prej më shumë se 100 syresh që ekzistonin në fillim të shek. XX). Gjatë qëndrimit tonë u ftuam bujarisht të vizitonim vendndodhje historike (mesjetare) në Shqipërinë e Jugut, në shoqërinë e ekspertëve Theofan Popa dhe Koço Bozhori.
Vizita e dytë daton më 1980. Erdha së bashku me Peter Soustal (më vonë drejtor i Institutit për Studime Bizantine në Akademinë e Shkencave të Austrisë), me ftesë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në kohën kur kryetar ishte prof. Aleks Buda. Dr. Soustal përgatiti, në atë kohë, vëllimin e Epirus Vetus për Tabula Imperii Byzantini, një manual dhe atlas i gjeografisë historike të bizantit, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Austrisë . Vëllimi mbi Epirus Vetus përfshinte provincat e Shqipërisë së jugut dhe provincat greke të Epirit dhe Etolokarnanisë. Më 1980 mbaj mend shoqërimin shumë të dobishëm të Apollon Baçes dhe Hasan Subashit.
Herën e tretë e vizitova Shqipërinë për pak ditë në shtator 1996, së bashku me një grup studentësh pasuniversitarë. Vizituam vendndodhjet monumentale që datojnë në periudhën e lashtë, mesjetare dhe të modernitetit të hershëm , jo vetëm ato bizantine, si, për shembull, qytetin arumun të Voskopojës.
Nga këto vizita mësova se Shqipëria, veçanërisht ajo qendrore dhe e jugut, ka një dendësi të lartë monumentesh që datojnë në periudhën e krishterimit të hershëm, mesjetare dhe para-industriale. Shumë prej këtyre monumenteve u qenë nënshtruar pushtimeve italiane dhe gjermane, gjatë Luftës II Botërore, dhe sistemit politik të gjysmës së dytë të shek. XX, kryesisht kisha dhe manastire, të cilat ishin keqpërdorur për qëllime jo fetare. Më 1996 u gëzova tek pashë se shumë prej tyre kishin mbijetuar. – Kaq për njohuritë e mia rreth trashëgimisë monumentale të vendit tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *